Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, i shoqëruar nga ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë zhvilloi sot një vizitë në burgun e Spaçit, në Mirditë.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit (pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”
Gjatë fjalës së tij me këtë rast Presidenti Nishani tha se duhet memorizuar Spaci. “Brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë”, tha Presidenti.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kjo ceremoni e Kreu të Shtetit vjen në prag të 25- vjetorit të rënies së komunizmit.
Presidenti Nishani kërkoi që të bëhet drejtësi për cështjen e ish –të burgosurve që janë pushkatuar në burgut e Spaçit në 21 maj 1973.
Kreu i Shtetit ka kërkuar që revolta e vitit 1973 në këtë burg të futet edhe në kurrikulat e shkollës, në mënyrë që të mos harrohen krimet e komunizmit.
Edhe në maj të 2013 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi 4 ish-të përndjekur politikë me motivacionin: “Për kontributin, trimërinë dhe sakrificën e madhe dhënë në kërkim të respektimit të lirive të njeriut, nëpërmjet një prej revoltave më të mëdha ndaj regjimit komunist’’.
Me rastin e 25-vjetorit te rrezimit te komunizmit, Presidenti i Republikes, Bujar Nishani do te zhvilloje edhe disa veprimtari të tjera.
Nesër ka një takim me studentet e shkelqyer dhe dekanet e Universitetit Shteteror, si dhe te tjere te ftuar në qytetin Studenti, ku Kreu të Shtetit do te mbaje dhe nje ligjerate, ndërsa pasdite do të zhvilloje një vizitë në Pavionin e Terrorit Komunist (Muzeu Historik Kombetar).












