Fronti Nacional i Marine Le Pen është partia më e votuar në të paktën 6 nga 13 rajone në Francë në zgjedhjet lokale që po mbahen në këtë vend.
Këto zgjedhje shihen si një test për mbështetjen e publikut ndaj qeverisë, në përgjigje të sulmeve të 13 nëntorit.
Republikanët e qendrës së djathtë të udhëhequr nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy renditen të dytët përpara Partisë Socialiste në pushtet, sipas exit-poll-eve të dala menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit.
Fronti Nacional kishte marrë rreth 30.8% të votave, republikanët e Sarkozy me 27.2% dhe të tretët renditen socialistët e presidentit Francois Hollande me 22.7% të votave.
Duke iu drejtuar përkrahësve, Marine Le Pen tha se nga zgjedhjet e së dielës ka dalë një rezultat i mrekullueshëm, që provon se Fronti Nacional është partia e parë në Francë.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet një javë më pas, më 13 dhjetor.












