“Ndryshimi vjen nga gratë sepse ato kanë energjinë e jetës dhe shpresës për ditë më të mira. Gratë mbeten aleatet dhe besniket më të mira të lirisë, e demokracisë, të Partisë Demokratike dhe vlerave që ajo ka përcjellë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 25 vite”.
Kështu e ka nisur deklaratën e saj kryetarja e Lidhjes së Gruas në PD, Albana Vokshi.
Një ditë paar prostestës së paralajmëruar të PD-së Vokshi kujton se, “Ky ka qenë viti më i trishtë i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon. Është gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit”.
Në këtë kontekst, ajo rendit një sërë arsye pse çdo vajzë dhe grua do të jetë nesër në vijën e parë të protestës.
“Ndaj, në 8 dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse çdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qenësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli Rilindja.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për varfërinë dhe papunësinë në rritje që po mbyt të tashmen dhe të ardhmen e çdo gruaje.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për ato mijëra gra e vajza që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj Qeverie.
Protesta e 8 dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht.
Në 8 dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përçmimi, denigrimi, poshtërimi.
Në 8 dhjetor do të jemi të gjitha bashkë për t’i thënë ndal burgosjes së familjarëve tanë, që qeveria i akuzon padrejtësisht për të mbuluar vjedhjen shtetërore në energjetikë, në dogana apo në tatime.
Në 8 dhjetor do protestojmë për çmimet tejet të larta, faturat e papërballueshme të dritave ujit, transportit.
Në 8 dhjetor do protestojmë për mohimin e të drejtës për shërbim shëndetësor, për mohimin e të drejtës së fëmijëve tanë për arsimim dhe edukim”, shprehet Vokshi.
Duke ftuar gratë dhe vajzat në protestën e nesërme, kryetarja e Lidhjes së Gruas në PD, Albana Vokshi, apelon për rrëzimin e qeverisë së tenderave.
“Gratë dhe vajzat nuk mund të heshtin më!
Le të bashkohemi në barrikadën për të jetuar me dinjitet!!
Nesër do të jemi të gjitha bashkë, përkrah djemve dhe burrave, për të RRËZUAR QEVERINË e tenderave, regjimin e mohimit të të drejtave të njeriut.
Bashkë do t’ia dalim!
Në 8 Dhjetor të gjitha bashkë për të shpëtuar Shqipërinë tonë nga diktatura e re, për shpëtuar të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundon deklarata e PD-së.












