Automjeti i shpërthyer i Elton Imerit
Elton Imeri, personi që mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi në mjetin e tij, ka një pozicion drejtues në Policinë Ushtarake në Durrës, megjithatë grupi hetimor ka përjashtuar mundësinë e ndonjë sulmi për shkak të detyrës.
Emri i tij nuk figuron i lidhur me ndonjë ngjarje kriminale, apo të jetë i skeduar ndonjëherë në ndonjë procedim penal.
E vetmja pistë ku janë përqendruar hetimet e Policisë së Tiranës lidhet me një hasmëri të vjetër të fisit të tij, me familjen Xhabafti në Yzberisht, ndonëse ai vetë nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë, shkruan “Panorama”.
Konflikti mes këtyre dy fiseve ka sjellë prej kohësh vrasje e atentate me eksploziv nga të dyja palët, që prej vitit 1992. Rreth një vit më parë, në një atentat të ngjashëm me eksploziv, por që i kushtoi jetën drejtuesit të mjetit, ndodhi në Vorë, ku mbeti i vrarë Baki Xhabafti.
Nga ana tjetër, policia po heton edhe ndonjë lidhje të mundshme me një ngjarje që u parandalua në kohë, po në zonën e Kombinatit, korrikun e këtij viti, kur në makinën e kushëririt të Imerit, u zbulua një sasi e konsiderueshme eksplozivi.
Sipas Policisë, dyshohet se atentati i djeshëm mund të ketë lidhje me atë të kushëririt të 34-vjeçarit, biznesmenit Ervis Imeri, të cilit iu vendos 600 gramë eksploziv në makinën e marrë me qira, por fatmirësisht ai e konstatoi para se të shpërthente.











