Në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, po zhvillohen sot homazhet në nderim të Imzot Rrok Mirditës, Arkipeshkvit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare.
Në homazhe morën pjesë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri i vendit, Edi Rama, ish-kryemsitri Sali Berisha, Kryetari i PD-së Lulzim Basha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Kryegjyshi botëror i bektashinjve Baba Mondi dhe përfaqësues të besimeve të tjera fetare, politikanë e përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë etj.
Pas daljes nga homazhet Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një prononcim për mediat shprehu vlerësimin për klerikun e lartë, i cili tha ai, me shpirtin e madh i shërbeu jo vetëm katolikëve, por dhe komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri.
“Ne sot ndajmë dhimbjen e thellë, por dhe respektin e madh dhe përuljen ndaj këtij prelati të lartë për përkushtimin e mahnitshëm dhe shërbimin e jashtëzakonshëm që i bëri vlerave të krishtërimit në radhë të parë, por dhe për shembullin e jashtëzakonshëm që ofroi në ndërtimin dhe udhëheqjen e bashkësisë së krishterë gjatë gjithë kohës. Mbi bazën e këtyre vlerave dhe shpirtit të madh që e karakterizonte Imzot Mirdita nuk i shërbeu vetëm katolikëve shqiptarë, por dhe një prej parimeve me të cilin shqiptarët përfaqësohen sot, respektit dhe harmonisë mes besimeve të ndryshme, duke pasur në themel respektin ndaj tjetrit që është ndryshe nga ty. Sot ne të gjithë lutemi: Imzot Mirditës dritë i pastë shpirti në paqe dhe parajsë’, mbylli prononcimin e tij për mediat Presidenti i Republikës.
Po sot, në orën 16.00 do të zhvillohen lutjet e mbrëmësores e më pas do të kremtohet mesha.
Imzot Rrok Mirdita do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 10.00, ku do të fillojë edhe mesha e funeralit të cilën do ta drejtojë Shkëlqesia e Tij Imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri.












