Inspektori i policisë bashkiake Besmir Karaj ka depozituar në prokurori, një kallëzim penal për falsifikimin e firmës së tij, në gjobën e bashkisë së Tiranës për PD.
Inspektori, Besmir Karaj, firma e të cilit rezulton mbi fletën e gjobës, kallëzoi në prokurori policinë bashkiake të Tiranës. Besmir Karaj deklaron në padinë e tij, se i kanë falsifikuar firmën dhe se gjoba është plotësuar nga kryeinspektori i policisë bashkiake.
Një ditë më parë, Karaj deklaroi se firma e tij mbi gjobën e bashkisë për PD-në është falsifikuar. Ai u shpreh se nuk kishte asnjë lidhje me atë gjobë dhe se kishte vendosur të ndjekë rrugën ligjore ndaj kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj me akuzën e falsifikimit të firmës.
Qytetarët në mediat sociale vunë në lojë bashkinë e Tiranës për këtë gjobë. Shkak është bërë shuma finale, e cila ishte llogaritur gabim. Totalin, kjo e fundit e ka vlerësuar në mbi 160 milionë lekë, ndërsa qytetarët kanë marrë makinën llogaritëse në dorë duke korrigjuar bashkinë. Shuma e saktë është mbi 190 milionë lekë. Ka nga ata që ia faturojnë gafën paaftësisë së militantëve të punësuar në bashkinë e kryeqytetit. Ndërsa të tjerët ironizojnë duke shpjeguar se bëhet fjalë për një ulje që, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj, i ka bërë PD-së me rastin e festave të fundvitit.











