Ish-kryetari i PD-së në vitet 1992-1994, Eduard Selami ka folur përpara mijëra demokratëve dhe intelektualëve të Tiranës por ndërkohë ka gjetur edhe rastin të korrigjojë intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës pak kohë më parë ku deklaroi se lidershipi i ri i PD-së nuk frymëzon.
“Por siç thotë Xhon Kenedi; atij që i besohet, nga ai më shumë pritet. Prandaj dhe sot Shqipëria pas 25 viteve përsëri ka nevojë për një rigjallërim të vlerave më të mira të shpirtit demokrat të shqiptarëve. Me të drejtë shqiptarët, për shkak të keqqeverisjes po humbasin shpresën. Por ku më shumë e ku duhet ta kërkojmë përveçse Partisë Demokratike. prandaj ky është detyrimi ynë i përbashkët.
Ndaj unë, nëse ngre zërin kritik e bëj pikërisht në sajë të këtyre vlerave, të këtyre shpresave e besimi që shqiptarët kanë tek Partia Demokratike. Dhe jam i bindur që ne do të arrijmë shumë shpejt që tu kthejmë shqiptarëve edhe njëherë në rrugën e drejtë dhe të progresit, në rrugën e përshpejtimit të anëtarësimit tonë të plotë në Europë. Unë mendoj se shumë shpejt Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet e do ta kthejë Shqipërinë në rrugën e mbarë, në rrugën e përparimit dhe në rrugën e Europës. Ju faleminderit dhe gëzuar festën”, ka deklaruar Selami.










