Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili shprehet i gatshëm për konsensus, për reformën në drejtësi. Duke mbështetur edhe konsensusin që dha edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, Petrit Vasili theksoi rëndësinë që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, sipas modelit të dekriminalizimit.
Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se konsensusi për këtë reformë është i mundur, pasi mjedisi politik në Shqipëri është i gjithi në favor të kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, duke theksuar se rolin e këtij komisioni nuk mund ta luajë askush tjetër.
“Miratimi i ligjit të dekriminalizimit është një hap shumë i rëndësishëm për rrugën e europianizuese ku ka hyrë vendi. Konsensusi gjithë-partiak rrit besimin dhe afron më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Miratimi i këtij ligji provoi se ndërtimi i konsensusit është i mundur, si dhe është rruga që duhet të na prijë për një tjetër moment të rëndësishëm që kemi përpara, siç është reforma në drejtësi. LSI mbështet kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson mbështetjen e madhe që Komisioni i Venecias po i jep Shqipërisë për reformën në drejtësi. Ne e mbështesim një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale në drejtësi, sipas modelit të dekriminalizimit. Konstatojmë se mjedisi politik është i gjithi në favor të reformës në drejtësi. Konsensusi është gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm që gjendet edhe në raportin paraprak të Komisionit të Venecias”, deklaroi Vasili.
LSI dhe grupi i saj parlamentar do të organizojë dëgjesa publike me ekspertë, akademikë dhe qytetarë gjithashtu, për reformën në drejtësi.
Lidhur me deklaratën e Bashës për raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, Vasili pohoi se, “Më vjen mirë për këtë deklaratë të zotit Basha. Pas kësaj deklarate duket qartë se rruga e konsensusit është rruga më e afërt. Gjykatësi i vetëm, Komisioni i Venecias, paraqet këtë gjë. Ne kemi dokumentin e duhur, na krijon favore”.
Ndërsa edhe LSI sikurse PD, kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre për raportin më të fundit dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në Drejtësi, ende nga PS nuk ka një qëndrim të tillë, publik për këtë draft propozimesh e rekomandimesh.











