Nga Shkodra ku zhvilloi takimin e fundit për këtë vit me ish të përndjekurit, kreu i Unionit, Besim Ndregjoni lëshoi një lum akuzash ndaj kryeministrit Rama për dekorimin e ish punonjësve të sigurimit, duke e quajtur të papërgjegjshëm, ndërsa parlamentin e cilësoi si një vend të mbushur me kriminelë.
“U mbushën plot 25 vite që akoma shtresa e të të përndjekurve politikë kërkon eshtrat e të vrarëve dhe nuk i ka gjetur, dhe kjo politikë hesht. Sot, At Gjergj Fishta kërkon një varr. Nderohen vrasësit, përbuzen viktimat. Edhe këto veprime i bën i ashtuquajturi shtet demokratik”, u shpreh Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit mbarëkombëtar të të përndjekurve politik.
“Sigurimi i shtetit, ashtu si në komunizëm ende sot është kudo ashtu siç lufta e klasave tek ish të përndjekurit politik”.
Kështu deklaroi kreu i të persekutuarve në Malësinë e Madhe Ndoc Çulaj.
Kritik ishte Çulaj edhe ndaj kryeministrit duke e akuzuar Edi Ramën se gënjeu për pjesëmarrjen në meshën e 4 nëntorit 1990.
“Si e lejoi Kisha Katolike me dalë në meshë një kryeministër të inkriminuar, pse e lejoi, e kam vërejtje, le t’i vijë keq po të dojë. Ai aty doli e gënjeu dhe e patë se çfarë tha: U hap qielli, po poshtë këmbëve çfarë ke ti? Varret e atyre që janë pushkatuar e janë zhdukur”, u shpreh Ndoc Çulaj, ish i përndjekur politik.
Në përmbyllje të përndjekurit apeluan që të nisë puna për kërkimin e 4500 eshtrave të të vrarëve nga regjimi, pasi ende sot nuk kanë një varr.











