Pastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët do të shtrihet në tri vjet. Drafti për ndryshimet Kushtetuese i sugjeruar nga Venecia përcakton periudhën 1 janar 2016 deri më 31 dhjetor 2019 gjatë së cilës do të bëhet pastrimi i radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk duhet të jenë në Drejtësi.
Për këtë, gjyqtarët dhe prokurorët do të analizohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në bazë të performancës dhe justifikimit të pasurisë së deklaruar prej tyre.
Në sitë të këtij komisioni do të kalojnë të gjithë gjyqtarët, përfshi anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, prokurorët, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, si dhe këshilltarët e tyre.
Gjyqtarët ose prokurorët që do të vlerësohen nga ky komision mund të dorëhiqen nga detyra, vlerësimi ndaj tij pushon menjëherë, pavarësisht nga koha e dorëheqjes, si përpara, ashtu edhe gjatë kohës së vlerësimit.
Personat nën vlerësim që dorëhiqen nga detyra, nuk mund të shërbejnë si gjyqtarë në ndonjë shkallë gjykimi, si prokurorë, si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ose Prokuror i Përgjithshëm, për një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Pasuria do të jetë një tjetër kriter vlerësimi për personat e drejtësisë.












