Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit një vendim që sipas qeverisë synon të mbrojë dhe mirëmbajë hapësirat publike, si dhe të krijojë hapësira të reja në shërbim të qytetarëve, sipas tch.
Vendimi i hap rrugë njësive të qeverisjes vendore që nuk i menaxhojnë vetë këto hapësira, të nënshkruajë marrëveshje partneriteti me privatin për menaxhimin e tyre.
Disa prej shërbimeve që mund t’i jepen privatit janë menaxhimi i parkimeve publike, apo ofrimi i shërbimeve qytetare në parqe a lulishte, si p.sh. bar, kafe apo kënde argëtimi, etj.
Për rastet kur këto hapësira shtrihen në pronë private, qeveria sqaron se njësia e qeverisjes vendore përkatëse bie fillimisht dakord me pronarin për zhvillimin e hapësirës.
Në rast të pamundësisë së këtij të fundit për ta zhvilluar, pushteti vendor ia merr këtë hapësirë kundrejt një tarife të caktuar, për t’ia dhënë një tjetër privati për ta zhvilluar.
Qeveria thotë se vlerësimi në këtë rast, sa i përket qëllimit të kryerjes me efikasitet apo kosto më të ulët të këtyre shërbimeve, i përket qeverisjes vendore.
Për këtë qëllim, vendimi parashikon ndalimin e zënies së hapësirës publike me çdo lloj objekti, perveç se me autorizim të bashkisë apo ndalimin e zënies së parqeve dhe lulishteve në masë më të madhe se 0.5% e tij.
Vendimi i mësipërm i qeverisë i hap rrugë rikthimit të lokaleve në lulishte dhe vende të tjera publike që modë e viteve ’90 në Tiranë dhe qytetet e mëdha të vendit. Pavarësisht luftës kundër ndërtimeve informale ka plot lokale që ende kanë zënë hapësirat publike për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me pushtetin. Vendimi i ri i qeverisë i legalizon ato që janë si dhe shton rrezikun që hapësira të tjera të zihen me kioska.











