Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare thotë se 1% e vizitorëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në vend përtej afatit të vizës. Por për shqiptarët kjo shifër është mbi mesataren me të paktën dy herë rritje.
Ndër vizitorët nga Shqipëria, nga 6 mijë e 123 vetë që hynë në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2015, 207 vetë ose 3.38% e tejkaluan afatin e vizës.
Një raport i ri i publikuar të martën nga ky departament, i cili ka nën mbikqyrjen e tij edhe agjencinë e kufijve dhe imigracionin, përfshin të dhëna mbi afro 45 milionë vizitorë që duhet të kishin ikur para datës 30 shtator 2015, por rreth 416 mijë e 500 prej tyre ende nuk ishin larguar. Ndër vizitorët përfshihen turistë dhe biznesmenë të ardhur për aktivitet pune.
Sipas raportit, vizitorët nga vende që kanë marrëveshje për lëvizje pa viza kanë ritme më të ulëta të shkeljes së afateve se vendet e tjera, ku qytetarëve u kërkohet marrja e vizave. Raporti nuk përfshin lëvizjen e qytetarëve me rrugë tokësore, përmes kufirit kanadez apo atij meksikan.












