Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti sot Ministrin e Jashtëm Italian, Paolo Gentiloni, i cili ndodhet në Tiranë në kuadrin e takimit të dytë trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi, në nivel të ministrave të jashtëm.
Kreu i Shtetit e siguroi Ministrin e Jashtëm italian për orientimin e qartë e të plotë evropian të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e strukturave shtetërore shqiptare në kryerjen e reformave të nevojshme dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore, me synim afatshkurtër hapjen e negociatave të aderimit në BE.
Duke u ndalur tek reformat, Presidenti Nishani theksoi se reforma në drejtësi mbetet kryefjala dhe falë asistencës së Komisionit të Venecias dhe mbështetjes nga vendet dhe organizatat partnere, shpresojmë që shumë shpejt kjo reformë do të finalizohet në mënyrë konsensuale dhe të prodhojë një model që ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë vendin nga kultura e pandëshkueshmërisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit për përballimin e krizës së krijuar nga flukset e paprecedenta migratore nga vendet në konflikt, si dhe luftës ndaj ISIS-it, terrorizmit ndërkombëtar, luftëtarëve të huaj dhe krimit të organizuar, për të cilat u evidentua vëmendja që palët u kushtojnë si dhe u theksua nevoja e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për veprime parandaluese dhe përballimin e tyre me efikasitet të plotë.
Një vit pas takimit të parë trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi, të zhvilluar 23 Janarin e shkuar, si një nismë e qeverisë italiane për të nxitur dialogun rajonal dhe për të përshpejtuar integrimin europian të Ballkanit perëndimor, ministrat e jashtëm të të tre vendeve janë mbledhur sërish sot kësaj herë në Tiranë.
Temat e diskutimeve mbeten thuajse të njejta, vetëm se tani, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë ecur përpara, dhe të dy vendet synojnë të flasin për projekte konkrete, me interes të përbashkët edhe për rajonin, ku shqiptarët dhe serbët janë faktorët kryesorë, e për pasojë raportet mes tyre konsiderohen kyc për stabilitetin e rajonit.
Vitin e ardhshëm Italia do të presë takimin e radhës së udhëheqësve të Ballkanit, në kuadër të procesit të Berlinit, të nisur në 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.












