Presidenti Nishani deklaroi sot në një intervistë dhënë për Televizionin “Vizion+” me gazetaren Olta Blaceri se është i pakënaqur me punën e institucioneve shqiptare duke vënë theksin ndër të tera edhe tek prokuroria.
Gazetarja: Katër vjet pas zgjedhjes së Adriatik Llallës si Prokuror i Përgjithshëm, a jeni ju i kënaqur me punën e tij?
Presidenti Nishani: Unë jam shprehur edhe më parë: Në se unë do të isha i kënaqur me punën e institucioneve shtetërore, atëherë ne duhet ta konsideronim të panevojshëm gjithsecilin prej nesh. Padyshim që nuk jam i kënaqur me çfarë është bërë deri tani në tërësi, në kuptimin me mënyrën se si ka funksionuar prokuroria, në mënyrën se si kanë funksionuar gjykatat, se si funksionon pjesa e ekonomistëve, në mënyrën se si funksionon jeta sociale, jeta politike, jeta kulturore. Absolutisht jam i pakënaqur me gjithë këtë lloj dimensioni!
Gazetarja: Por zotin Llalla e keni propozuar ju? Prandaj ju pyeta.
Presidenti Nishani: Padyshim që zoti Llalla është i propozuar nga Presidenti i Republikës, por nuk korrigjohet dhe nuk kontrollohet nga Presidenti, sepse e ka varësinë nga Parlamenti, e ka varësinë nga Kuvendi. Është Kuvendi, i cili kontrollon punën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Prokurorisë në tërësi. Është Kuvendi, i cili në se konstaton që Prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroria nuk e përmbushin misionin e tyre, ka gjithë mekanizmat për të ndërmarrë veprimet e tyre ligjore, por ajo që unë them me garanci është fakti që Prokuroria duhet të bëjë shumë më tepër, në raport jo vetëm me pritshmërinë e opinionit publik, por edhe në raport edhe me realitetin. Posaçërisht në dy aspekte, në hetimin dhe përndjekjen e veprimtarisë korruptive të zyrtarëve të administratës, nga më të lartit e deri tek nivelet më të ulëta dhe nga ana tjetër, e krimit të organizuar që është një sfidë shumë e madhe për Shqipërinë dhe shërbimin shqiptar.
Ndërsa duke folur për rolin e Presidentit në reformën në drejtësi, Presidenti ka rikujtuar se institucioni i tij nisi këtë reformë që në vjeshtëne vitit 2014.
Gazetarja: Në fakt ju pyeta a do të luani një rol ju, pasi Kryeministri Edi Rama ju akuzoi se ju keni lënë një vakum, të cilin po e mbushin ambasadorët?
Presidenti Nishani: Akuzat ndaj Presidentit të Republikës, ndaj meje konkretisht nuk janë as të parat dhe as të fundit, nuk janë të këtyre kohëve, janë shumë të hershme, që nga dita e parë e hyrjes së Qeverisë në zyrën e saj. Më lejoni të risjell në vëmendjen e opinionit publik që askush nuk ka qenë më shumë i interesuar sesa Presidenti i Republikës për të nisur procesin. Ka qenë pikërisht Institucioni i Presidentit të Republikës, i cili që në tetorin e 2014-tës e ka iniciuar dhe kërkuar palëve duke i ulur ato në tryezë dhe duke kërkuar marrjen e angazhimeve në proces. Presidenti nuk ka mekanizma ekzekutivë qoftë për të ndërtuar struktura, siç janë komisionet përkatëse dhe nuk ka as kompetenca dhe mekanizma për marrë iniciativa ligjvënëse për të jetësuar pastaj produktet që vijnë nga këto mekanizma që krijohen.
Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë dhe detyrimin e madh që të ketë një zë konsistent në raport me opinionin publik, i cili të ruajë transparencën e proceseve, vërtetësinë e tyre, realizmin e tyre, standardet e demokracisë dhe natyrisht të thotë të vërtetën dhe ta thotë këtë në mënyrën sa më të thjeshtë të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë vërtetë ku qëndron ‘djalli midis rreshtave’ apo ‘midis qëndrimeve’ dhe kush është avokati i djallit në raste të ndryshme.
Pra, këtë kam bërë në mënyrë të tillë që t’i transmetojë opinionit publik që përmes zërit të Presidentit të Republikës rëndësinë e këtij procesi që është i padiskutueshëm, angazhimi profesional nga duhet të vijë, nga është më reali dhe i vërteti dhe produkti i cili i përafrohet maksimalisht me pritshmëritë e qytetarëve.
Pra, përtej akuzave të cilat natyrisht që nuk i konsideroj, mbetem i gatshëm dhe i angazhuar dhe i mbetem thirrjes që kam bërë publikisht në mënyrë të përsëritur që drejtuesit e partive kryesore politike të ulen në tryezë mes njëri-tjetrit dhe të shpallin botërisht qëndrimet dhe udhëzimet e tyre bazuar qoftë në standardet evropiane, demokratike me të cilat Shqipëria është tashmë në udhëtim dhe opinionit të mekanizmave të specializuar siç është rasti i Komisionit të Venecias për reformën në fjalë.











