Çuditërisht në një deklaratë të përgatitur në zyrat e qeverisë shqiptare dhe e shpërndarë nga deputeja Leskaj, disfata e rëndë diplomatike e qeverisë shqiptare në dëm të Kosovës shpallet si sukses e motiv për tu ngazëllyer, deklaron zyrtari i lartë i PD-së, Kreshnik Collaku.
“Fakti është se strategjia serbe në Këshillin e Europës në bashkërendim dhe me përpjekjet ruse në OKB për të rikthyer në skenë UNMIK dhe fuqizuar kompetencat e tij është nje goditje e rëndë për Kosovën dhe cënon statusin e e saj si shtet i pavarur.
Në mënyrë paradoksale për këtë disfatë diplomatike me pasoja ka gjetur dhe shkaktarin. Për qeverinë shqiptare, grupi politik që kryeson Angela Merkel dhe partia e saj ne Europë janë shkaktarët e kësaj disfate.
Ky sulm direkt karshi grupit politik që drejtohet nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel, nga presidenti i Komisionit Europian Junker, presidenti i Këshillit Europian Tusk është përveçse miop por edhe shfaqje e një sëmundje të re ne tipologjinë shqiptare dhe traditën e saj, mosmirënjohjen.
I kërkojmë qeverisë shqiptare të tërheqe urgjent këtë qendrim nënvleftesues e mosmirenjohës kundra drejtuesve kryesore europian të BE”, deklaroi Collaku.

Këtë pasdite Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Valentina Leskaj i është përgjigjur akuzave të PD për mungesën e bashkëpunimit dhe koordinimit me palën kosovare.
Në ndryshim nga cilësimi i përgjithshëm si dështim për Kosovën, kryetarja e delegacionit shqiptar në KiE e sheh rezolutën në tërësinë e saj si pozitive.
Zonja Leskaj e argumenton këtë me faktin se, përfundimet e rezolutës kërkojnë qartazi ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të Këshillit të Europës me Kosovën.
Duke iu referuar votimit të Asamblesë, zonja Leskaj thotë se votimi tregoi që të majtët europianë, si në opinione ashtu edhe në votimin në Asamble, ishin në mbështetje të interesave të Kosovës, përkundër të djathtës, thotë ajo, së cilës i përket edhe Partia Demokratike.
Deputetja socialiste nuk sqaron nëse ka qenë apo jo e pranishme në Komitetin Politik të Këshillit të Europës, në 8 dhjetor 2015, për të cilën akuzohet nga Partia Demokratike.












