Pjesëmarrëse në punimet dyditore të Ministerialit të NATO-s në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli lajmëroi reduktimin e kallashnikovëve në duart e ushtrisë shqiptare në muajt që vinë.
“Ne kemi përdorur famëkeqin kallashnikov në të gjitha rastet. Sigurisht, në misione të përbashkëta të NATO-s kemi shkuar me armatim të tjetërkujt e sot kemi armatimin tonë dhe do ta vazhdojmë këtë proces sepse është përmbushja e të gjitha kërkesave, është një proces i gjatë, por gjithësesi e favorizon FA sepse i bën që jo vetëm ta disponojnë këtë armë, por ndërkohë dhe i trajnon e i përgatit më mirë”, thotë ministrja Kodheli në një intervistë për tch.
Në këtë kuadër do të përdoren dhe të ardhurat nga shitja e mjeteve fluturues ushtarakë, ndërsa aerodromet, ku ato janë mbajtur, do të mbeten në shfrytëzim të ushtrisë shqiptare, tha ministrja shqiptare.
Shqipëria ka vendosur të shesë avionet e serisë Mig por edhe të tjerë që end mbahen në hambarët e aeroporteve ushtarake të vendit.
Ministria është kritikuar nga media online për cmimet e ulta të shitjes së avionëve Mig21. Droni.al ka publikuar cmimet e tregut ndërkombëtar për të njëjtët avionë që shet edhe ministria jonë e Mbrojtjes të cilat ishin 10 herë më të larta se oferta e institucionit që drejton Kodheli.
“Flitet për mjete që neve na i kanë dhuruar në vitet ‘50-‘60, të pashfrytëzueshme tashmë e kanë kostot e tyre të mirëmbajtjes dhe inventarizimit. Ruhen sot që flasim në aerodromet tona ushtarake dhe besoj se kjo (ankandi) jo vetëm do ta çlirojë mjedisin ku ato ruhen, sepse e pengojnë veprimtarinë tonë, por do të na sjellë edhe njê të ardhur që ne do ta shfrytëzojmë vetëm e ekskluzivisht vetëm për modernizimin dhe blerjen e armatimit dhe municioneve dhe për asgjë tjetër. Nga ana tjetër, aerodromet do të rrinë pjesë e Forcave të Armatosura dhe do të përdoren për qëllime ushtarake”, sqaron Kodheli pa folur për diferencën e panatyrshme të cmimeve.












