Bëhet fjalë për 35 vjecarin Agron Sinani, i cili është dënuar me gjashtë vjet burg. Sinanit i është dhënë leje nga autoritetet e Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, dhe dje ishte afati i fundit ku ai duhet të ishte kthyer sërish në qeli, por Agron Sinani nuk është rikthyer.
Kjo ka shqetësuar drejtuesit e këtij institucioni, të cilët kanë lajmëruar jo vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për ngjarjen e ndodhur, por edhe pikat kufitare dhe komisariatet e policisë. Burime pranë Burgut të Burrelit saktësuan se leja për të dënuarin Agron Sinani është dhënë brenda kritereve ligjore.
Në burgun e Burrelit është ngritur dhe funksionon një komision, i përbërë nga pesë veta, i cili shqyrton rast pas rasti kërkesat për leje të të dënuarve. Agron Sinani është shpërblyer një javë më parë nga ky komision me shtatë ditë leje.
Sipas zyrtarëve të këtij burgu “cdo gjë është kryer brenda të gjitha rregullave dhe kritereve të paracaktuara. Ai u shpreh me shkrim se kishte një të afërmin e tij në gjendje të rëndë shëndetësore”. Mesditën e djeshme Sinani duhej të kthehej në vendin e vuajtjes së dënimit. Mosrespektimi i lejes së dhënë ka bërë që drejtuesit e Burgut të Burrelit të reagojnë dhe të kërkojnë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për gjetjen dhe kthimin e tij në qeli.
Në verën e vitit 2010, ai së bashku me dy persona të tjerë kanë mbajtur të izoluara në Linëz tri vajza, 15, 18 dhe 19 vjeçe, dhe kanë tentuar t’i trafikojnë në Kosovë. Ky shtetas ka rezultuar i dënuar më parë me gjashtë muaj burg për “dezertim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak”.
Policia është vënë në kërkim të Agron Sinanit, për kapjen dhe arrestimin e tij, tani edhe për veprën penale të “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”.











