Foto, Bashkia Pogradec
Deputeti i PD-së Flamur Noka, ka denoncuar, atë që sipas tij, “Me Edi Ramën Ujësjellësi i Pogradecit ishte kthyer në strehën e bandës më famëkeqe të qytetit. Persona me precedentë të tmerrshëm kriminalë, persona që në vend se të ishin në burg, ishin në borderonë e Edi Ramës dhe paguheshin prej vitesh. Dhe Edi Rama nuk ndalet në shërbimin ndaj tyre”.
Sipas Nokës, “Tani që kryetari i ri i bashkisë vendosi ta pastrojë ujësjellësin nga kjo bandë, del Talutant Balla, në krah të Edi Ramës, në një aktivitet partie, dhe i merr në mbrojtje”.
Shihni pak kë merr në mbrojtje Edi Rama;
Ilir Berberi: I dënuar për gjobvënie, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Në Pogradec njihet si Lili i Rrushkës. I hetuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale si për vrasjen e shefit të komisariatit në Pogradec Argon Gjyrezi.
Meardi Berberi: I ndjekur disa herë penalisht nga Prokuroria për tentativë vrasje, gjobvënie, plagosje e rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Kreu 1.4 vite burg për gjobvënie. Ky person është në mbikëqyrje të vazhdueshme nga Policia. Kanosi me armë Administratorin e ri të Ujësjellësit.
Bledar Berberi: I ndjekur penalisht nga Prokuroria për akuzën armëmbajtjes pa leje dhe trafikim armësh drejt Greqisë.
Mariglen Topuzi: I përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale me përdorimin e armëve të zjarrit.
Genci Allka: I ndjekur penalisht për tentative vrasje.
Xhuliano Topuzi dhe Aleks Mertkola: të ndjekur penalisht nga Policia për trafik droge.
“Këta banditë që mbron Edi Rama jo vetëm kishin zaptuar Ujësjellësin, por kanë shkaktuar një dëm prej 300 milionë lekësh për 5 muaj vetëm me pagat, duke përfshirë dhe një rast ekzemplar abuzimi, si blerja me paratë e ujësjellësit të makinës private të drejtorit, në shifrën 74 milionë lekë. Ja pra standardi i Edi Ramës, ja si sundon ai me krimin, në parlament, në zyrat qendrore dhe në qytetet e vendit”, përfundon denoncimin e tij deputeti demokrat, Flamur Noka.












