Ilir Sinanaj
Një gjë është e sigurt: epërsia numerike e “mazhorancës mavi” duhet me doemos të vihet “nën zgjedhë” nga një opozitë cilësore, pasi kjo e fundit ka një disavantazh numerik. Në të kundërt, pavarësisht qëllimeve të mira që kjo mazhorancë mund të ketë, është më se njerëzore, që një pushtet “i pakontrolluar”, të kalojë në një arrogancë të dëmshme për zhvillimin.
Për dy vite rresht, opozitarizmi i të djathtëve ka qenë i një niveli “jo të kënaqshëm”, çka edhe u materializua me rezultatin e zgjedhjeve vendore të qershorit 2015 deri diku. Por së fundmi, një figurë e Partisë Demokratike ka hapur rrugën e një përqasje më aktive të opozitarizmit…
Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit
Me themelimin e Departamenteve, Partia Demokratike hodhi themelet për të krijuar disa “qendra” përpilimi strategjish për të bërë opozitë të bazuar në ide dhe argumente racionale në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm. Pjesa më e madhe e këtyre Departamenteve kanë performuar nën nivelin e pritshmërive, pasi veprimtaria e tyre është shumë pak e njohur për publikun në një kohë që pasqyrimi mediatik është diçka që pothuajse kushdo mund të ketë akses me pak këmbëngulje, e jo më për eksponentë të lartë të forcës politike opozitare më të madhe në vend.
Ndërkaq një nga Departamentet që është hedhur në “kundërsulm” mediatik është ai i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit i kryesuar nga Jamarbër Malltezi.
Një nga gjërat e para që ka bërë përshtypje ishte se ky Departament ishte nga të parët të hapte një faqe “Facebook” (nuk ka si të mos u shpëtojmë rrjeteve sociale kur përfshihemi në funksione publike). Ajo që të bën shumë përshtypje e të lë shumë mbresa në faqen e këtij Departamenti, është “cover foto” e kësaj faqeje ku janë rreshtuar të gjithë anëtarët e Departamentit, që (edhe pse kjo mund të duket diçka e vogël) i jep një përqasje vlerësimit të kapitalit njerëzor të këtij grupimi. Në Shqipëri rrallë herë gjen drejtues që shprehin sadopak, qoftë edhe në formë simbolike, vlerësimin për personat me të cilët punojnë.
Së dyti Malltezi ka qenë ndër të parët në emër të Departamenti të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit, që ka organizuar dëgjesë publike, për të hartuar një program (nga i cili rezultoi aksioni në Parkun e Liqenit të kryeqytetit për të mbjellë pemë) në bashkëpunim me qytetarët (30 janar 2015).
Së treti, Malltezi, përpos denoncimeve të shumta sipas tij për dëmin mjedisor, nuk ka ngurruar të marrë lopatën e të gërmojë tokën për të mbjellë vetë fidanët. Kjo përsëri mund të jetë një gjest simbolik, por është nisma më konkrete për mjedisin që kam konstatuar krahasuar me të gjithë punën e institucioneve të ndryshme që merren me çështjen e këtij sektori. Në fakt nga ana e këtyre institucioneve ka pasur më shumë mbledhje për gjera dhe nisma që duhen ndërmarrë sesa zbatueshmëri konkrete.
Qofsha realisht i gabuar, por kur mendoj atë që është ndërmarrë për mjedisin këto kohët e fundit, më vjen në mendje vetëm anekdota, “Ferri kapitalist dhe ai i socializmit *!”.
Përsëri e theksoj, qofsha i gabuar në arsyetimin tim!…
Thellimi i aksionit opozitar si zhvillim i qëndrueshëm
Edhe pse nga nismat e opozitës shquhet mbi të tjera puna në terren dhe prania e argumenteve opozitare të Departamentit te Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit, përsëri mendoj se edhe më shumë punë duhet bërë për t’i dhënë një shtrirje më të gjerë përfshirjes qytetare. Në kuadër të kërkesës që Malltezi bëri në janar të këtij viti për ide sesi mund të ndërmerren nisma të vlefshme për çështjen e mjedisit, pyjeve dhe turizmit, dhe që mund të ketë interes qytetar, disa të tilla mund të jenë…
Njohja e legjislacionit. Alfa dhe omega e një shteti dhe veprimtarisë së tij janë ligjet. Do të ishte mirë të viheshin në dispozicion, në formën e një aksesimi të thjeshtë për publikun, ligjet që lidhen me mjedisin dhe turizmin. Po kështu edhe një shpjegim i tyre me raste konkrete. Në Shqipëri ka një mosnjohje të theksuar të ligjeve nga ana e publikut të gjerë. Në këtë mënyrë qytetarët do të sensibilizoheshin më shumë për të luftuar padrejtësitë që u bëhen.
Debati në lidhje me ligjet. Nëpërmjet strukturës së Partisë Demokratike mund të organizohen në vazhdimësi takime në lidhje me ndikimin që ligjet e ndryshme kanë në zona të ndryshme në vendin tonë. Po kështu, në vazhdimësi, mund të mblidhen si mendimet e qytetarëve ashtu edhe të ekspertëve për të përmirësuar legjislacion ekzistues. Në këtë mënyrë të përfshihen më njerëz nga kategori të ndryshme
Organ mediatik. Me përparimin e teknologjisë nuk është e vështirë të kesh një media. Themelimi i një organi mediatik, qoftë edhe on-line, që menaxhohet nga Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit, por tek i cili mund të kontribuojnë qytetarët e ndryshëm, do të ishte një mënyrë e mirë për të ngritur kauza të ndryshme dhe me një shpejtësi ndërveprimi dhe ndërlidhjeje të konsiderueshme.
Angazhimi i kapitalit njerëzor. Një nga përkufizimet e kapitali njerëzor është aftësitë, talenti dhe dija, që i japin mundësi krijuese njeriut, duke i materializuar në të mira ekonomike të vlefshme. Në këtë kuadër Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit mund të kthehet në një laborator strategjish studimore, të cilat mund të jenë të vlefshme për qytetarët, e për rjedhojë edhe për Partinë Demokratike, që kjo forcë politike ta ketë sa më konsoliduar mbështetjen me votë të qytetarëve. Disa ide mund të jenë nisma studimore që ndërmerren si nga ekspertë por edhe nga studentë. Në prizmin e studentëve, ata mund të ndërmarrin si çështje studimore për punimet e tyre akademike, problematike të ndryshme që lidhen me mjedisin, pyjet dhe turizmin si në aspektin juridik ashtu edhe në atë inxhinierik. Këto studime mund t’i vlejnë më tej edhe Departamentit…
* Humor i skëterrshëm
Ferri i kapitalizmit pa rregulla dhe ai i socializmit
Një person vdiq dhe do të shkonte në ferr. Para se shkonte në skëterrë ai u paraqit në banakun e recepsionit të kësaj bote të vuajtjeve, mbrapa të cilit kishte 2 porta. Ndërsa recepsionisti po përgatiste dokumentet administrative, personi i sapovdekur vuri re se nga njëra portë dëgjoheshin zhurma harbimesh të pafre, ndërsa në anën tjetër kishte heshtje të plotë.
Ndërkaq, recepsionisti e pyet: Në cilin ferr doni në shkoni? Në atë të kapitalizmit pa rregulla apo në atë të socializmit?
Personi u mendua disa sekonda dhe ia ktheu me një pyetje: Çfarë është gjithë kjo zhurmë hareje dhe dëfrimi?.
Recepsionisti: Aty është ferri kapitalizmit pa rregulla. Banorët harbojnë e dëfrejnë, si t’ua ketë ënda, për gjashtë ditë në javë. Prandaj dëgjohet gjithë kjo zhurmë….
Personi: Po nga kjo ana tjetër pse është kaq qetësi?
Recepsionisti: Andej është ferri i socializmit. Atje zhvillojnë çdo ditë, të paktën, 12 orë mbledhje…
Personi: Po shkoj në ferrin kapitalizmit pa rregulla pra…
Ndërsa ky po nisej, recepsionisti ia pret: Por ka diçka… Një ditë në javë të gjithë banorët vihen mbi një dërrasë me gozhda dhe u kalon gjithë ditën një rul gjigant përsipër, për të paguar për atë që bëjnë në 6 ditë pa punuar!.
I tromaksur personi e pyet: Po në ferrin e socializmit ka rul?
Recepsionisti: Sigursisht që edhe atje ka rul, por çështja është se ka 6 muaj që nuk ka kaluar?
Personi: Pse?
Recepsionisti: Po ja, nganjëherë nuk ka pasur dërrasa, nganjëherë nuk ka pasur as gozhda. Madje nganjëherë edhe rul nuk ka pasur…











