Para dy ditëve, Shqiptarja.com shkruante se kanë nisur të ‘bien’ disa nga ata që cilësohëshin si administratorët e paprekshëm.
Ajo përmendte rastin e Drejtorit të Tatimeve të Tiranës, i arrestuar para ca ditësh dhe Drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës, i shkarkuar nga Bordi pas problemit me mbifaturimet. Sipas saj, Drejtori i Ujësjellësit ishte një i paprekshëm i ‘Beut të Jugut’, Koço Kokëdhima.
Por fuqia e këtij deputeti shkon edhe më tej këtë e tregon dhe kjo foto e publikuar nga Lapsi.al.
Ky është punonjësi i tatimeve në Sarandë dhe duket se ka zgjedhur mbajtjen e portretit elektoral të superdeputetit Koço Kokëdhima edhe pse në një zyrë shtetërore. Shenjë falenderimi apo simpatie për koordinatorin e Jugut?
Burime të Lapsi.al thonë se ai është punësuar në këtë zyrë pas ardhjes së PS në pushtet dhe se ka qenë pjesë aktive e fushatës së Kokëdhimës dhe mbajtja e portretit të tij në zyrë është sa vlerësim për figurën e deputetit aq edhe për t’u treguar punonjësve të tjerë rëndësinë që ai ka në administratë si pjesë e stafit elektoral të superdeputetit.













