Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj u shpreh se sot nuk do të tërhiqet nga vendimi për dhjetëfishimin e taksave për zënien e hapësirave publike. Jo vetëm kaq, por ai është treguar shumë cinik, kur deklaroi për bizneset e të vetëpunësuarve se, “Nëse nuk keni punë, hiqini tavolinat”.
Duke shpërfillur protestën e radhës të bizneseve të Tiranës sot, ai e lidhi këtë protestë si të organizuar nga ish-drejtorët e qeverisë së kaluar, të cilët sipas Veliaj, po keqpërdorin tregtarët dhe pronarët e lokaleve.
Kreu i bashkisë së Tiranës është shprehur i vendosur edhe për vazhdimin e punëve në Tiranë, duke garantuar se transparencë do të ketë deri më një, por nuk do të tolerohet asnjë bllokim.











