Përfaqësues të Partisë Demokratike, deputetë, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pjestarë të departamenteve, kanë pasur takime në terren me biznesin e vogël, në lidhje me 10 fishimin e taksave që ka bërë kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ariana Çela në komunikimin me bizneset e vogla të njësisë 4 në Tiranë, u shpjegoi atyre çfare ka ndodhur konkretisht.
-Sipërfaqja e dyqanit për metër katror nga 280 lekë që ka qenë për metër katror është bërë 440 lekë për metër katror.
-Tarifa e pastrimit nga 100 mijë lekë të vjetra është bërë 200 mijë lek të vjetra.
-Eshtë shtuar dhe një tarifë e re për infrastrukturën arsimore 18 mijë lekë si familjarë, sikurse 40 mijë lekë të reja për biznesin e vogël. Nuk e di a jeni në dijeni të këtyre tarifave, e rritjes së taksave.
Tregtarët e vegjël thanë se janë kundër këtyre masave dhe taksave dhe u shprehën se pavarësisht, askush nuk e bën pastrimin në zonën e tyre.
“Për taksën e arsimit, po ne që s’kemi shkollë këtu pse do paguajmë, me çfarë të paguajmë? Çfarë të them? Bravo u qoftë atyre dhe mua që luftova për ata. Në rregull. Se unë jam e majtë dhe votova për ta”, u shpreh një tregtare.
“Perveç rritjes së taksave është shtuar taksa e arsimit 4800 lekë për biznesin e cila është në kundërshtim me Kushtetutën që parashikon arsimin falas për ciklin e ulët dhe të mesëm? Erion Veliaj ka shkelur Kushtetutën. Neni 57 i Kushtetutës, pika 5 parashikon: Arsimi i detyrueshem si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkolla, është falas”, tha Albana Miftari, anëtare e departamentit të ekonomisë në PD.
Deputeti i PD, Myqerem Tafaj theksoi se: “Edhe ne si opozitë jemi absolutisht për pagesën e taksave, por jo në këtë nivel. Sepse këtu po e shohim që xhiro ditore është tepër e ulët, pra që nuk justifikon të tilla taksa”.
“Unë dua të flas për pagesën e kontributeve, është një shkelje e barazisë ndërmjet shtetasve sepse profesioneve të lira të cilave u është ngritur kontributi, dhe janë gjithsej 21. Profesione të lira janë dhe një këngëtar, balerin është dhe një këpucar, orëndreqës. Pra si ka mundësi të shtohen kontributet për ta”, u ankua një qytetar.
“Profesionistë të lirë me llogaritjet që kemi bërë janë 11 mijë dhe kjo është shtresa e mesme e shoqërisë e cila nuk duhet rënduar. Ne jemi të interesuar që shtresa e mesme të forcohet sepse është baza e demokracisë”, tha Tafaj.











