Ditën e sotme është zhvilluar seanca e parë gjyqesore e cila ka marrë në shqyrtim kërkesën e Nazime Vishës, për përfitim nga amnisita e fundit e 2015-ës. Por kjo sencë e cila zgjati vetëm 5 minuta u shty për t’i dhënë kohë prokurorisë të njihet me aktet.
Nazmie Visha është parë e përlotur në sallën e gjyqit, dhe nuk ka pranuar që të pranishme brenda në sallë të ishin kamerat e televizioneve. E dënuara me 10 vjet burg për vrasje me paramendim të kryer në moshën 18-vjeçare, Visha kërkon ulje dënimi.
Ngjarja ndodhi më 13 gusht 2012 në Kërrabë të Tiranës, Visha vrau Fiqiri Muçën nga i cili pretendonte se ishte abuzuar seksualisht për katër vite me radhë.
Kërkesa e saj për ulje të masës së dënimit është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 19 janar të këtij viti, e cila shqyrtohet nga gjyqtari Lazër Sallaku. Kështu Visha kërkon të përfitojë nga e drejta e çdo të burgosuri me një vendim të formës së prerë për të përfituar uljen deri në 90 ditë në vit nga dënimi për shkak të sjelljes së mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Por paralelisht me këtë kërkesë në Gjykatën e Tiranës po shqyrtohet kërkesa tjetër, ku në rolin e kërkuesit është e dënuara Nazime Visha. Bëhet fjalë për një kërkesë të saj për përfitim nga amnistia e fundvitit 2015. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga gjyqtari Sokol Tona. Përmes saj, ajo do të kërkojë të drejtën e uljes së një viti 1 vit e 6 muaj dënim, ulje që përfitohej prej amnistisë nga të dënuarat femra me një vendim të formës së prerë. Herën e fundit që Visha ka përfituar një ulje dënimi ka qenë në nëntor të vitit 2014.












