Deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj, vizitoi familjet në nevojë të fshatrave, Bujan, Margegaj, Kërnajë, Llugan dhe Komuna Tropojë. Ajo tha se gjendja e shumë famijeve tropojane është në një mjerim të paimagjinueshëm, ndërkohë që një pjesë e tyre jetojnë dhe në banesa të dëmtuara rëndë.
Deputetja Hajdarmataj tha se vazhdimisht i bën apelit Shërbimit Social dhe Emergjencave civile për të ardhur dhe për të parë nga afër skamjen ekstreme të qindra familjeve në fshatrat e Tropojës, por dhe brenda në qytetin e Bajram Currit.
“Në Tropojë në mbi 2 vite e gjysëm qeveria nuk ka asnjë nisëm apo program konkret për të ulur varfërinë dhe mungesën e shpresës. Ministritë e Çështjeve Sociale dhe të Arsimit flasin për shkolla profesionale dhe punësim në profesione të lira, por Tropoja nuk ka as edhe një punishte fasonësh, agrobiznesi, apo industri minerare që të punësojë të rinj, burra dhe gratë. Ndërkohë çmimet e larta të energjisë dhe taksat e kanë bërë të pamundur ekzistencën e bizneseve në Veri dhe Verilindje të vendit”, shtoi Hajdarmataj.
Me mbështetjen e Fondacionit të Katarit u shpërndanë pako ushqimesh tek afro 100 familje në varferi të plotë, mes të cilëve dhe të moshuarve në vetmi.











