Emri i Emiljano Shullazit është përmendur shpesh herë vitet e fundit në procese gjyqësore të ndryshme të bandave të Tiranës apo Durrësit.
Adriatik Coli, një i penduar i “bandës së Durrësit” pati deklaruar në sallën e gjyqit në vitin 2009, se Emiljano Shullazi dhe Dritan Dajti u ofruan kundrejt shumës 200 mijë euro, për të hequr qafe Lul Berishën, rivalin e bandës që drejtohej nga Indrit Dokle, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Coli.
Vrasja nuk u realizua për shkaqe që Coli nuk ka mundur t’i sqarojë para gjykatës. Ndërsa mësohet se “pazari” dështoi sepse Shullazi dhe Dajti kërkuan një paradhënie prej 50 mijë eurosh.
Përveç historive” me “bëma”, Emiljano Shullazi ka edhe histori, ku ai ka rënë edhe viktimë e mashtrimit.
Një nga historitë më të bujshme ka qenë në vitet 2007-2008, kur Albana Laze, një 35-vjeçare arriti të mashtronte disa nga emrat më të përfolur në proceset gjyqësore të kohës duke u marrë atyre shuma të mëdha. Gruaja pretendonte se ishte e afërt me një prokuror dhe u premtonte të dënuarve të ndryshëm lirimin nga burgu në këmbim të shumave të mëdha.
Ajo u arrestua në 17 tetor 2007 ndërsa po merrte nga të afërm të familjeve të Emiljano Shullazit dhe Genc Ferhatit 150 mijë euro duke u premtuar se do t’i lironte ata nga burgu.
Gjykata e Tiranes shpalli fajtore Albana Lazen në vitin 2009 dhe e dënoi me 12 vjet burg, aq sa kishte kërkuar edhe prokuroria ne konkluzionet e procesit.
Vetë Laze nuk e mohoi që kishte marrë 150 mijë euro, por këmbënguli se nuk i ka detyruar që t’ia japin dhe se dënimi është mjaft i rëndë.












