Pedagogët dhe studentët e Universitetit të Tiranës i kanë dhënë përgjigjen më të mirë ndërhyrjes në garën për rektor në këtë universitet nga ana e një grupi tashmë të arrestuar dhe në hetim për akte të rënda kriminale.
Ata kanë zgjedhur Mynyr Konin i cili sfidoi kërcënimet me jetë dhe familje dhe qëndroi në garë pavarësisht se një nga emrat më të njohur të zonës së errët të Tiranës, Emiljano Shullazi i kërkoi të tërhiqej nga gara.
Ndryshe nga biznesmenë shumë të njohur të këtij vendi, një pedagog shfaqi shumë më tepër integritet si për t’iu treguar shqiptarëve se shpëtimi i vendit vjen prej të diturve.
Mynyr Koni ka marrë 460 vota, ndërsa rivalja e tij Klodeta Dibra ka marrë vetëm 243 vota. Pritet vetëm numërimi i votave të studentëve që përbëjnë 10 % të rezultatit final, por sidoqoftë nuk cenon fituesin.
Procesi i numërimit ka përfunduar në Universitetin e Elbasanit, ku Skënder Toti është zgjedhur rektor. Ndërsa në Korçë është zgjedhur Ali Jashari.











