Vladimir Gjuta ka lënë qelinë sot, 10 ditë pasi prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të pushojë hetimet ndaj tij dhe 7 të afërmve të tij si të dyshuar për përfshirje në vepra kriminale dhe vendosjen e tritolit në pronat e familjes së ministrit Saimir Tahiri.
Lirimi i Gjutës është bërë mesditën e kësaj të diele nga burgu i Bradasheshit në Elbasan, ndërsa drejtoria e Burgjeve sqaron se ndaj tij është vendosur masë sigurie arrest në shtëpi.
Vladimir Gjuta u prit me brohoritje nga disa persona që kishin shkuar për ta pritur. Pas takimeve dhe përqafimeve me ta, Gjuta i është drejtuar një makine luksoze, dhe më pas është larguar.
Pak ditë më parë Prokuroria për Krime të Rënda pushoi çështjen për Vladimir Gjutën dhe Baftjar Brukën për shkak të mungesës së provave. Prokuroria tha se gjatë hetimeve nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin.
Prej më se një viti, Gjuta u dyshua për aktivitet kriminal e akte terroriste, ndërsa nuk u provua asnjëherë përfshirja e tij në këto krime ç’ka solli dhe lirimin nga burgu.
Më shumë se një vit nga atentatet me tritol të 10 shkurtit 2015 që tronditën Tiranën, këto krime mbeten pa autor duke lënë kështu hapur një nga dosjet e konsideruar më të rënda të krimit, ku goditi dhe mbi familjen e Ministrit të Brendshëm.











