Një 28 vjeçar shqiptar me iniciale E.G u arrestua nga policia italiane në provincën e Padovas, duke sekuestruar edhe 2 kg heroinë. Shqiptari konsiderohet si tregtari më i madh i drogës në këtë provincë. Hetimet ndaj tij u bënë në mënyrë intensive për një periudhë 20 ditore, ndërsa javën e kaluar u mblodhën informacione të rëndësishme mbi lëvizjet e shqiptarit dhe se si vepronte në atë qytet.
Mëngjesin e sotëm, agjentët e policisë e bllokuan atë teksa ecte në një garazh në Vigonza, e përdorur si bazë logjistike. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij u gjet sasia e drogës e ndarë në 6 pako, ndërsa u sekuestruan edhe disa telefona celularë si dhe një makinë e përdorur për shpërndarjen e drogës. I arrestuari punonte si punëtorë i një firme, ndërsa u dërgua në burg.












