Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka sekuestruar një sërë pasurish në pronësi të shtetasit Brigeno Binoshaj dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se ato nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme.
Nga hetimet rezulton se Binoshaj është dënuar më herët nga autoritetet franceze për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Pas verifikimeve të kryera, prokuroria ka konstatuar se ai, së bashku me familjarët, zotëron pasuri dhe përfiton të ardhura në shpërpjesëtim të dukshëm me nivelin e të ardhurave të deklaruara nga veprimtari të ligjshme, të pamjaftueshme për të justifikuar burimin e tyre.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë sekuestruar disa automjete dhe mjete motorike, përfshirë një automjet tip “Mercedes Benz” S600L, një “Volkswagen Golf” 2.0 TDI, një “Lancia Y”, si dhe tre motoçikleta të markave “Piaggio”, “Yamaha MT09” dhe “Yamaha YP250R”.
Gjithashtu, janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare në emër të Brigeno Binoshajt dhe familjarëve të tij. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe verifikimin e plotë të pasurive dhe burimeve financiare të tyre.













