Protesta sot në Vlorë
Pas 4 ditësh pa ujë në Vlorë por edhe pa vëmendje nga pushteti, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.
Ai ka lajmëruar se po vjen pjesa e dëmtuar e ujësjellësit nga Stambolli ndërsa sqaron se shkaku i problemit lidhet me një defekt të rëndë në sistemin e ujësjellësit, i cili, sipas tij, e ka zanafillën në vitet 2009–2010, për shkak të instalimit të pjesëve hidraulike jashtë standardeve.
Kryeministri thekson se ekipet teknike janë duke punuar pa ndërprerje për riparimin e defektit, duke e cilësuar operacionin si tejet të vështirë. Ai shton gjithashtu, me ironi, se situata vjen si pasojë e “syrit të keq” pas viteve të mira që, sipas tij, ka kaluar Vlora.
REAGIMI I RAMËS/ Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë. a.b












