Padrejtësitë ndaj Departamentit Brain Gain dhe diasporës duhen korrigjuar me garanci statutore, deklaroi sot kreu i PD, Sali Berisha gjatë prezantimit të drejtuesve të rinj të kësaj strukture të PD.
“Rrethana komplekse, duhet ta pranojmë këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre.
Dhe këta djem dhe vajza, nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie.
Nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme.
Këtu duhet të pranojmë, PD ka një problem themelor ndaj këtij departamenti, por edhe ndaj diasporës, të cilit duhet t’i japë përgjigje sa më parë.
Procedurat e përcaktuara nga kjo parti, atyre u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia, në kuptimin që kjo nuk është parti vetëm e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por është parti edhe atyre që jetojnë në Paris, Londër, Berlin, Uashington dhe kudo që janë.
Nuk është parti vetëm e degëve të saj në Lezhë, Durrës apo Peqin, por është edhe parti e degëve të saj në Athinë, Milano, Paris dhe vende të tjera.
Në këtë kontekst është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statusore.
Të marrin përgjigje statusore!
Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështjet e vullnetit të kryetarit apo kryesisë të partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore.
Dhe në këtë kuadër ne i japim përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre, por edhe ndaj diasporës.
Dhe kjo padrejtësi duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë”, deklaroi Berisha.
Departamenti Brain Gain erdhi në PD në momentet më kritike të saj. Ai ka një rëndësi themelore për partinë, theksoi kryetari i PD.
“Të shpreh një mirënjohje të madhe sepse ky departament i themeluar dhe i drejtuar nga zoti Andi Mustafaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë sallë, erdhi në PD në momentet më kritike të saj.
Erdhi në PD si një kushtrim për t’i dalë zot një parimi themelor, një të drejte themelore për një komb të lirë, për të pasur opozitë.
Pra, erdhi në një moment kur në Tiranë zhvillohej një betejë e egër midis demokratëve, narko-qeverisë shqiptare dhe mbështetësve të saj në Europë dhe në botë në projektin Shqipëria pa opozitë apo me fjalë të tjera më reale, Shqipëria me një opozitë të kontrolluar, që e drejtonin, e udhëhiqnin sipas projekteve të tyre.
Erdhën pra në kohërat më të vështira.
Çfarë i solli këta intelektualë, ekspertë, specialistë?
I solli një zë për vendin etyre.
I solli një kushtrim i brendshëm.
Por i solli gjithashtu edhe një vlerësim i madh për PD-në, e cila në trajektoren e saj kishte arritur transformime epokale në Shqipëri”, tha Berisha. a.b













