Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar atë për dy shkelje të rënda të Kushtetutës.
Në një konferencë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij në rastin e shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë dhe ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në çështjet e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidenti Bajram Begaj ka tentuar, si asnjë president tjetër më parë, të zhveshë Gjykatën Kushtetuese dhe autoritetin e saj nga kompetencat që i njeh Kushtetuta,” tha Bardhi. Sipas tij, “Begaj ka bërë një shkelje të rëndë të ligjit themeltar, duke synuar të kufizojë rolin e Gjykatës në procesin e shkarkimit të të zgjedhurve vendor”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se presidenti ka futur në ngërç procesin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës dhe ka minuar legjitimitetin e tyre, duke shkaktuar konfuzion te zgjedhësit. Ai theksoi se Begaj ka treguar mungesë paanësie dhe është vënë nën vullnetin e kryeministrit.
Sipas kreut të grupit të PD-së, shkelja e dytë lidhet me ndërhyrjen e presidentit në çështjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, presidenti ka kërkuar ndërprerjen e mandateve të disa gjyqtarëve të kësaj gjykate,” u shpreh Bardhi. “Ky është një cenim i rëndë ndaj pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe një ndërhyrje e papranueshme në funksionimin e saj,” shtoi ai. a.b












