Perlat Vatoci
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë lëvizje të reja në strukturat drejtuese, duke miratuar disa emërime të rëndësishme në nivelet e mesme të komandimit.
Altin Qato, që deri më tani mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Rrugore, është emëruar pedagog në Akademinë e Sigurisë. Në vend të tij, detyrën e Drejtorit të Policisë Rrugore do ta marrë Perlat Vatoci, i cili ka shërbyer më parë si këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ndryshime ka pasur edhe në strukturat e policisë kufitare. Arbër Zemani, i cili ishte shef i Sektorit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është emëruar drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Shkodër.
Ndërsa Adrit Elmazi, që deri më tani ushtronte detyrën e Drejtorit të kësaj strukture, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë funksionin e specialistit pranë Drejtorisë Strategjike.
Këto ndryshime vijnë si pjesë e procesit të riorganizimit dhe përmirësimit të eficiencës në strukturat e Policisë së Shtetit.










