Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se mbajnë përgjegjësi për ngjarjen e rëndë të ndodhur në sallën e gjyqit, ku u vra gjykatësi i Apelit, Astrit Kalaja. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se vrasja është pasojë e “narkoshtetit shqiptar”, që sipas tij ka shkatërruar sigurinë në institucionet e drejtësisë.
“Mblidhemi sot pasi narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij. Kur them narkoshteti, e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por një akt i tillë nuk mund të ndodhte kurrë nëse shteti do të ishte shtet dhe jo narkoshtet,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se salla e gjyqit duhet të jetë vendi më i sigurt në shtet, për shkak të natyrës së proceseve gjyqësore, ndërsa e cilësoi ngjarjen si provë të rrënimit të institucioneve.
“Në sallën e gjyqit u shkreh një batare kundër një gjykatësi, sikur të ishte në mes të rrugës apo në një kafene. Ky është dështim total i shtetit,” shtoi Berisha.
Ai akuzoi Edi Ramën se me një vendim të datës 8 korrik 2020 ka hequr përgjegjësinë e Policisë së Shtetit për ruajtjen e gjykatave dhe ia ka kaluar strukturave private të sigurisë.
“Me vendimin e 8 korrikut 2020, Rama anuloi vendimin e qeverisë së 28 prillit 2010, që ngarkonte Policinë e Shtetit me mbrojtjen e gjykatave. Ai e kaloi këtë përgjegjësi tek ‘Policia e Xhepit’, tek patronazhistët e tij. Pas kësaj, askush nuk merrte përgjegjësi, sepse policia thoshte ‘nuk na takon më’,” deklaroi Berisha. a.b












