Alis në momentin e marrjes së çmimit
Këngëtari shkodran Alis ka triumfuar në Festivalin e 64-t të Këngës në RTSH me këngën “Nân”, duke rrëmbyer çmimin e parë dhe duke fituar njëkohësisht zemrat e publikut dhe vlerësimin maksimal të jurisë. Ky sukses i jep artistit të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë, Austri.
Performanca e Alis u vlerësua për fuqinë e jashtëzakonshme vokale, interpretimin origjinal dhe mesazhin universal të dashurisë, duke e bërë “Nân” një nga momentet më të spikatura të festivalit. Emocioni dhe energjia e transmetuar në skenë krijuan një atmosferë të veçantë në natën finale, e cila u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje të gjata.
Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit të Këngës, Ramë Lahaj. Në përfundim të votimit, këngëtari grumbulloi gjithsej 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe atyre të jurisë.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa vendi i tretë i takoi Sheilës me 93 pikë.
Sipas renditjes së jurisë profesionale, Alis u pozicionua i pari, Sheila e dyta dhe Vedat Ademi i treti.
Fituesi u përcaktua sipas formulës 50% votat e jurisë dhe 50% votat e publikut, një mekanizëm që synon transparencë dhe balancë në rezultatin përfundimtar. a.b











