Belinda Balluku në SPAK
Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa të reja arresti në shtëpi për zyrtarë vartës të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se vendimi është marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela, ndërsa sot i është dërguar institucioneve për zbatim. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar për dy zyrtarë të tjerë të përfshirë në çështje, në vijim të hetimeve të SPAK.
Po ashtu gjykata vendosi pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila po hetohet për procedurat e tenderit të ndërtimit të tunelit.
Hetimi u intensifikua më 31 tetor, kur SPAK mori të pandehur Ballukun për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera publikë. Bashkë me të, janë marrë të pandehur edhe pesë zyrtarë të tjerë: Gentian Gjyli, kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Ervis Berberi, ish-drejtori i ARRSH-së, aktualisht i arrestuar për një tjetër çështje; Erald Elezi, drejtor i përgjithshëm i OSHEE-së; Jetmira Dervishi; Mirzeta Kashica.
Të pestë janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), strukturë e cila ka pasur rol kyç në procesin e tenderimit.
Masa e re ndaj dy zyrtarëve pritet të shënojë një zgjerim të hetimit, teksa SPAK vijon të analizojë procedurat, dokumentet dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve. a.b










