Pamje nga foltorja para Kryeministrisë
Ka nisur sot foltorja e opozitës para kryeministrisë me synimin për ta bërë një protestë të qëndrueshme në kohë, ngjashëm me protestat e opozitës oara zyrës së Erion Veliajt.
Gjatë fjalimit të mbajtur para protestuesve përballë Kryeministrisë, Sali Berisha deklaroi se “Foltorja 2” ka si mision, sipas tij, shpëtimin e Shqipërisë nga “regjimi i krimit”. Ai u ndal te prania e shtuar e forcave të sigurisë rreth godinës së qeverisë.
“Shikoni si e ka rrethuar me policë, gardistë e ushtarë. Rama, je i pashpresë. Edvin, fundi yt nga ky shesh do të vijë”, u shpreh Berisha.
Lideri i opozitës theksoi se çdo javë, sipas tij, dalin në dritë afera të reja që tregojnë se “narkoregjimi është kalbur dhe pret vetëm vrullin e qytetarëve për t’u shembur”.
“Kjo javë tregoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe pret zemërimin tonë për t’u fshirë nga historia. Në vendin që supozohet të jetë më i sigurti, u zhvilluan masakra, ku bandat e qeverisë likuidojnë banda të tjera të qeverisë”, tha ai, duke shtuar se situata kulmoi me “mbylljen e narkoparlamentit”.
Sipas Berishës, mazhoranca dhe kryeministri “kanë frikë nga fjala e opozitës”, ndaj – siç u shpreh ai – “zgjodhën terrin dhe errësirën” për t’u mbrojtur.
Ai theksoi se në 10 seanca parlamentare opozita është lejuar të debatojë vetëm në një, ndërsa votimet e qeverisë janë zhvilluar “për 28 minuta, duke treguar se kanë tmerr nga qytetarët”.
“Kërkesa për komisionin e zgjedhjeve u rrëzua, pavarësisht se komuniteti ndërkombëtar i ka faktuar proceset zgjedhore si farsë. U hodh poshtë edhe komisioni McGonigal, sepse Rama është po aq fajtor. Po ashtu, u refuzua interpelanca me ministrin e Shëndetësisë”, përfundoi Berisha.










