Përplasje e FORTË në Komision: Balliu godet Proden me akuza për kapjen e policisë nga krimi
Një përplasje e ashpër shpërtheu sot në Komisionin e Sigurisë, ku deputeti Klevis Balliu akuzoi drejtpërdrejt Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se ka kthyer policinë në “vegël të krimit dhe mburojë të bandave”.
Balliu i hedh në fytyrë dosjen “Metamorfiza”: “Ju dekonspironi operacionet për t’i mbrojtur bandat”
Në momentet më të nxehta të seancës, Balliu i tregoi Prodes dosjen famëkeqe Metamorfiza, duke e quajtur provën më të qartë të kapjes së strukturave të policisë nga krimi i organizuar.
“Kjo dosje fakton përfundimisht kapjen e policisë nga krimi. Operacionet dekonspirohen nga brenda. Ju keni hallin e bandave, jo të shtetit.”
Balliu e akuzoi Proden se mbron interesat e grupeve kriminale:
“Ju keni frikë mos preken bandat, jo mos preken qytetarët.”
“Për monopatinat dilni me 4 furgona. Në aeroport nuk gjendej polici as me satelit”
Duke iu referuar atentatit të fundit në Aeroportin e Rinasit, Balliu goditi drejtuesin e policisë për mungesë totale të reagimit:
• “Për monopatinat dilni me katër furgona njëherësh.”
• “Në aeroport nuk gjendej polic as me satelitin 1 dhe 2.”
Ai theksoi se mënyra si autorët vranë, u larguan, dogjën makinën dhe zhdukën gjurmët brenda 1 ore e 30 minutash tregon degradim të plotë të rendit publik.
“Kartelët bëjnë namin. Durrësi nuk kap asnjë gram kokainë – tani ka ardhur edhe Sinaloa”
Balliu u ndal te Porti i Durrësit, duke e quajtur “pikën më të errët të sigurisë kombëtare”.
“Nën drejtimin tuaj, Durrësi nuk kap asnjë gram kokainë, ndërkohë që Europa flet për rolin e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar. Tani ka ardhur edhe Sinaloa.”
Ai akuzoi Proden se ka lehtësuar aktivitetin e grupeve kriminale:
“Troplina në Durrës, Suel Çela në Elbasan e të gjithë kartelët kanë marrë kartabiankë nën drejtimin tuaj. Ata kontrollojnë shefa komisariatesh dhe efektivë, sepse kanë lidhje me kupolën – me ju.”
“Policia merret me lokalet, ndërsa rrugët janë mbushur me gjak”
Balliu i cilësoi aksionet e policisë “folklorike dhe qesharake”, ndërsa krimi i organizuar vepron i paprekur:
“Mafia ka gjithçka në dorë. Ju merresh me lokalet a kanë zënë rrugën, por bandat po i marrin frymën shtetit.”
Ai deklaroi se policia është kthyer në instrument politik dhe mbulesë e krimit:
“Policia është vegël e pushtetit dhe në shërbim të krimit.”
“Arrestuat Ilir Metën si terrorist, ndërsa bandat i paralajmëroni”
Balliu e mbylli me një akuzë të fortë politike:
“Ilir Metën e arrestuat si terrorist. Ndërsa bandave u tregoni paraprakisht kur do vijë policia t’i arrestojë.”
Ai kujtoi edhe deklaratën e SPAK-ut:
“Edhe Dumani ka thënë: policia juaj nuk zbaton urdhrat e arrestit për grupet e rrezikshme”, tha Balliu. a.b










