Rama dhe Meloni sot në Romë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Roma, gjatë një konference të përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni, se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje anëtarësimi në Bashkimin Europian edhe pa të drejtë vetoje apo vote, duke shprehur shpresën që ky proces të përmbyllet gjatë presidencës italiane të BE-së.
“Jemi gati të bëjmë një marrëveshje me BE-në për të mos përdorur as veton dhe as votën, nuk na intereson. Jemi ithtarë fanatikë të vlerave europiane, nuk kemi asnjë qëllim të vendosim veto. Jemi gati të nënshkruajmë që të përfaqësohemi nga komisari europian italian,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi me ironi se “do të ishte shumë bukur të kishim dy komisarë për të njëjtin vend, pasi ne dhe Italia jemi si një.”
Rama falënderoi homologen italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhe për mikpritjen në kryeqytetin italian, duke e cilësuar këtë takim si një moment simbolik në marrëdhëniet dypalëshe.
“Jam i nderuar dhe mirënjohës për gjithçka që po bëjmë së bashku dhe për këtë mikpritje të jashtëzakonshme. Nuk kam parë shumë ngjarje historike në NATO, por ajo që ndodhi sot është me të vërtetë një ditë historike. Me këtë nivel mikpritjeje dhe këtë pallat kaq të bukur, nuk keni konkurrencë,” tha Rama.










