Momenti i arrestimit publik të Ilir Metës
Gjykata Kushtetuese pranon shqyrtimin e ankimit të Ilir Metës ndaj masës “arrest në burg”.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim ankimin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta kundër masës së sigurisë “arrest në burg”, caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme.
Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja e sotme e gjyqtarëve të Kushtetueses ka vendosur që çështja të kalojë në seancë mbi baza dokumentesh, çka do të thotë se shqyrtimi do të bëhet pa praninë fizike të palëve, vetëm në bazë të akteve dhe provave të depozituara.
Meta kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë, duke e konsideruar atë të paligjshme dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese. Ai pretendon se vendimi i dhënë nga Gjykata e Posaçme është i pabazuar në prova dhe cenon parimin e proporcionalitetit në dhënien e masave të kufizimit të lirisë.
Pas vendimit të sotëm, pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë në ditët në vijim dosjen e plotë dhe të dalë me një vendim që do të përcaktojë nëse masa e sigurisë ndaj ish-presidentit do të mbetet në fuqi apo do të shfuqizohet. a.b











