Prokuroria e Tiranës
Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë mashtruese fiskale që përfshinte shitje fiktive dhe deklarime të rreme tatimore në favor të kompanisë “5D Konstruksion”. Si rezultat i hetimeve, janë dhënë masa sigurie për tre persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj shtetasve I.A. është vendosur masa “Arrest në burg”, ndërsa për E.Gjoklaj dhe M.Lula është vendosur masa “Detyrim paraqitje”. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga nenet 144/a, 180 dhe 190 të Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 2578 të vitit 2025, në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Seksioni i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Nga hetimet rezultoi se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb” kishin kryer shitje fiktive në favor të “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh, duke krijuar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në 108,004,122 lekë.
Kompania “5D Konstruksion” është më herët hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila ka dërguar në gjykim disa drejtues të saj, përfshirë G.C., E.M., T.M. dhe B.Ç. Hetimet treguan se kjo kompani ka rritur artificialisht shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke përdorur faturat fiktive të lëshuara nga personat e arrestuar.
Sipas Prokurorisë, veprimet mashtruese janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe faturave të falsifikuara, me qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës tatimore për Tatimin mbi Fitimin, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit.
Në total, vlera e përfshirë në këtë skemë – rreth 370 milionë lekë – është përdorur nga “5D Konstruksion” për të rritur në mënyrë të rreme kostot e punimeve publike, duke përfituar fonde publike në mënyrë të pajustifikuar. r.k











