Ervis Martinaj
Pas më shumë se dy vitesh pa asnjë informacion mbi fatin e tij, familja e Ervis Martinajt ka ndërmarrë një hap ligjor për të ndryshuar edhe zyrtarisht statusin e tij.
Të mërkurën, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë është depozituar një kërkesë për shpalljen e Martinajt si person i zhdukur.
Sipas dokumenteve të dorëzuara, kërkues është Mustafa Martinaj, babai i të zhdukurit, i cili i kërkon gjykatës që të njohë zyrtarisht zhdukjen e të birit, Ervis Martinaj, i lindur më 6 tetor 1982 në Burrel dhe me banim në Fushë-Kuqe, Patok, në bashkinë e Kurbinit.

Faksimile e kërkesës
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, kohë kur, sipas familjarëve, janë shkëputur të gjitha kontaktet me të. Që nga ajo ditë, familja e tij nuk ka marrë asnjë informacion mbi vendndodhjen apo gjendjen e tij, ndërsa kërkimet zyrtare të policisë nuk kanë prodhuar rezultat.
Kërkesa e familjes në gjykatë vjen si përpjekje për të formalizuar juridikisht zhdukjen e Martinajt, i cili prej më shumë se dy vitesh konsiderohet si një nga personat më të kërkuar dhe më misteriozë në dosjet e krimit në vend. a.b












