Foto ilustruese
Autoritetet kroate kanë ndaluar një përpjekje për kontrabandë të një shume të madhe parash në pikën kufitare të Karasoviqit. Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kroacisë, gjatë një kontrolli në dalje nga vendi, oficerët e doganës dhe policisë zbuluan 702 mijë e 435 euro të padeklaruara, të fshehura në automjetin e një shtetasi shqiptar.
Kjo konsiderohet një nga sekuestrimet më të mëdha të parave të gatshme të kryera ndonjëherë në kufijtë kroatë. Paratë u zbuluan gjatë kontrolleve të shtuara që po zhvillohen nga Shërbimi Kundër Kontrabandës dhe njësitë mobile të Dubrovnikut, në bashkëpunim me oficerët e Administratës së Policisë Dubrovnik–Neretva.
Sipas autoriteteve, shoferi shqiptar nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor për të deklaruar shumën në Doganë apo Policinë Kufitare, as me shkrim dhe as në mënyrë elektronike. Paratë ishin fshehur me kujdes brenda automjetit me qëllim shmangien e kontrollit.
Pas zbulimit, shuma e konsiderueshme e parave u sekuestrua, ndërsa shtetasi shqiptar u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të kontrabandës financiare. Ai iu dorëzua autoriteteve kompetente për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore. m.k











