Hekuran Cumani
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Peruxhias në Itali, ku një i ri me origjinë shqiptare, 23-vjeçari Hekuran Cumani, humbi jetën pasi u godit me thikë në një nga parkingjet e Universitetit lokal në orët e para të së shtunës.
Sipas mediave italiane, prokuroria ka nisur hetimet për vrasje, ndërsa dyshohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Cumani është qëlluar me thikë në fyt, duke ndërruar jetë në vend. Kur shërbimet mjekësore mbërritën, ata konstatuan se i riu kishte ndërruar jetë si pasojë e plagës së rëndë në gjoks.
Hetimet paraprake dhe dëshmitë e disa personave që ndodheshin aty kanë zbuluar se autori, ende i paidentifikuar, e goditi 23-vjeçarin pas një sherri “për arsye të parëndësishme”.
Autoritetet vendore të Peruxhias kanë shprehur tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e të riut shqiptar. Në një deklaratë të përbashkët, kryebashkiaku dhe këshilli bashkiak shkruajnë:
“Lajmi na ka prekur thellë si individë dhe si institucione. Jemi pranë familjes dhe miqve të tij që po përjetojnë një dhimbje të papërshkrueshme. Është e vështirë të pranohet që një jetë kaq e re të shuhet në mënyrë kaq tragjike. Dhimbja e këtyre orëve ndjehet në gjithë qytetin. Peruxhia qëndron pranë atyre që vuajnë dhe reflekton me trishtim për një tragjedi që ka goditur komunitetin tonë.” a.b










