Pamje nga protesta në Tiranë
Qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur që prej pasdites së sotme në sheshin “Skënderbej”, ku në orën 17:00 pritet të nisë protesta në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, protestues nga të gjitha trevat shqiptare, veçanërisht nga Kosova, kanë mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar tubimit të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, nën moton “Liria ka emër”.
Në këtë aktivitet e morën fjalën disa figura të njohura politike dhe historike, mes tyre ish-presidenti Alfred Moisiu, kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.
Kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, tha nga sheshi Skënderbej ku po merr pjesë në protestën e thirrur në mbrojtje të liderëve të UÇK-së që sipas tij mse gjykata duhet të jetë e drejtë dhe nëse nuk e bën këtë, atëherë “do të mbrojmë vlerat tona dhe të kombit tonë”.
“Tirana është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve dhe jam mirënjohës për të gjithë ata që kanë ardhur sot nga gjithë pjesët e shqiptarisë së botës këtu, për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të çuar përpara vlerat e UÇK, prandaj Është një ditë historike sot. Një gjykatë duhet të jetë e drejtë nëse ndërron pozicion dhe nëse merr dokumente nga Serbia dhe nuk çon drejtësinë në vend ne duhet të dalim në mbrojtje të vlerave tona të UÇK-së, të kombit e të heronjve tanë që kanë luftuar e derdhur gjak që sot të kemi një Kosovë të lirë”, tha Rama.
Ai theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe tha se gjithnjë ka qenë në mbrojtje të vlerave të saj.
Në protestë mbajti fjalim ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, i cili i cilësoi luftëtarët e UÇK-së si të drejtë dhe guximtarë.
“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut,” deklaroi Moisiu.
Ndërsa kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se shqiptarët nuk do të heshtin më ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.
Si një ndër organizatorët kryesorë, ai iu drejtua protestës me mijëra pjesëmarrës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar se proceset në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerë, janë të padrejta dhe se viktima po barazohet me xhelatin.
“Ne sot po protestojmë, por të ngremë zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mbrojtur gjakun e derdhur për liri dhe për të mbrojtur nderin e çlirimtarëve tanë. UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar historia, populli, varret e dëshmorëve të kombit, bota mbarë. Bota mbarë pa në sytë e vet krimet serbe në Kosovë. Sot, përmes kësaj Gjykate po gjykohen jo krimet, por fajtorët si popull. Po përpiqen të barazojnë viktimën me xhelatin. Po duan të njollosin luftën tonë të shenjtë. Ne nuk do ta pranojmë këtë.
Nuk do ta lejojmë të përdhosin emrin e komandantëve tanë. Nuk do të heshtim kurrë për këtë histori të popullit tonë. kjo protestë nuk ka lidhje me politikën. Kjo është protestë e popullit shqiptar në zemrat e shqiptarëve. Ne nuk po kërkojmë mëshirë. Po kërkojmë drejtësi, barazi para ligjit dhe para historisë. Ne e gjykojmë qartë që Gjykata Speciale e ka humbur çdo besim te shqiptarët. Proceset që po bëhen në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Kjo protestë është thirrja e ndërgjegjes sonë kombëtare,” u shpreh Gucati.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur sot mbështetjen e tij të plotë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si themelin e lirisë së shtetit të Kosovës dhe krenari të historisë kombëtare shqiptare.
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi”, shkroi Presidenti Begaj në një postim në rrjetin social Facebook, të shoqëruar me fotografi nga protesta masive e zhvilluar në Tiranë në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Qytetarë, veteranë dhe familjarë të dëshmorëve u mblodhën sot në sheshin “Skënderbej” me flamuj kombëtarë dhe pankarta që kërkonin “Drejtësi për çlirimtarët”. a.n










