Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë dënon gjuhën fyese ndaj saj pas mbledhjes për Asim Vokshin
Gjykata e Lartë ka reaguar publikisht duke dënuar gjuhën fyese e përçmuese të përdorur ndaj institucionit pas mbledhjes së posaçme të 30 shtatorit, gjatë së cilës u zgjodh kandidati Asim Vokshi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Sipas vendimit të kësaj mbledhjeje, Vokshi u shpall fitues si i rendituri i parë në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), ndërsa kandidatja Naureda Llagami mori tetë vota pro, dhe një fletë votimi u shpall e pavlefshme për shkak të dy shenjave të vendosura mbi të.
Në reagimin zyrtar, Gjykata thekson se “sulmet verbale e të pabazuara nuk kanë lidhje me debatin publik apo me kritikat institucionale, por synojnë diskreditimin e gjyqësorit dhe uljen e besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.” Gjykata u distancua nga ajo që e cilësoi “gjuhë përbaltëse”, duke theksuar se çdo veprim në përzgjedhjen e gjyqtarit të Kushtetueses për vakancën e mbetur nga Holta Zaçaj është zhvilluar në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe në përputhje me ligjin.
Në reagimin e plotë, Gjykata shpjegon se procedura e zhvilluar më 30 shtator është bazuar në nenin 125 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, si dhe në rregulloren e miratuar në vitin 2022 për zgjedhjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, të gjitha fazat – nga thirrja e mbledhjes, verifikimi i kuorumit, ngritja e Komisionit të Votimit e deri te numërimi dhe shpallja e rezultatit – janë zhvilluar në përputhje të plotë me rregullat dhe janë dokumentuar në procesverbalin zyrtar të miratuar nga të gjithë 15 gjyqtarët e institucionit.
Gjykata sqaron gjithashtu se Komisioni i Votimit, si organ teknik dhe i pavarur, ka administruar procesin, ka verifikuar vlefshmërinë e fletëve dhe ka konstatuar pavlefshmërinë e një vote për mungesë të fshehtësisë, pasi në të ishin bërë dy shenja të ndryshme.
“Fshehtësia është kusht për vlefshmërinë e votës dhe çdo devijim që mund ta bëjë votën të identifikueshme e bën atë të pavlefshme”, thekson deklarata.
Në përfundim, Gjykata e Lartë thekson se vendimi për shpalljen e Asim Vokshit anëtar të Gjykatës Kushtetuese është marrë në zbatim të nenit 7/ç të ligjit nr. 8577/2000 dhe është miratuar unanimisht me vendimin nr. 2, datë 30.09.2025, të botuar më pas në Fletoren Zyrtare. Pas këtij vendimi, procedura vijon me betimin e anëtarit të ri para Presidentit të Republikës.











