Një 65-vjeçar besohet se u qëllua me armë zjarri për vdekje këtë pasdite në zonën e Pllanës, në Lezhë, pranë brigjeve të lumit Mat.
“Viktima është shtetasi Gjergj Tusha, banues në Pllanë, me të cilin familjarët kishin humbur kontaktet rreth orës 14:40, duke njoftuar menjëherë autoritetet.
Shërbimet policore nisën kërkimet, të cilat përfunduan rreth orës 17:30, kur 65-vjeçari u gjet i vdekur. Nga këqyrja paraprake u konstatua se trupi i tij kishte shenja dhune, përfshirë një plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.
Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, i cili po punon për dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorëve”, njoftoi policia e Lezhës.
Ndërkohë, forcat e Policisë së Lezhës dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e personit ose personave të dyshuar për vrasjen. m.k











