Deputetja e PD, Albana Vokshi ka reaguar ashpër ndaj një kallëzimi të supozuar, anonim të ‘Nesti Angonit’ në SPAK, duke theksuar se nuk do të heshtë përballë shpifjeve dhe letrave anonime.
Deputetja demokrate deklaron se sulmet e këtij lloji nuk do të mund ta trembin apo ta ndalojnë, duke premtuar se do të flasë edhe më fort kundër korrupsionit, padrejtësive dhe abuzimit me pushtetin.
Deklarata e Albana Vokshit:
“Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabohen!
Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabohen!
Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort!
Kundër korrupsionit.
Kundër padrejtësive.
Kundër abuzimit me pushtetin.
Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta!”.
Akuzat e ‘Nesti Angonit’
Nesti Angoni, një person anonim, i njohur edhe për kallëzimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj), ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK një kallëzim ndaj Albana Vokshit dhe disa prej familjarëve të saj. Akuza pretendojnë përfshirje në afera korruptive dhe pastrim parash, me abuzime të dyshuara në koncesionet e naftës dhe privatizimet, në periudhën kur motra e Vokshit, Mimoza, ka drejtuar sektorin e privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë. a.b











