Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur orët e para të mëngjesit zonën e Institutit në Kamzë. Sipas burimeve policore ngjarja është regjistruar rreth orës 00:55, kur një sasi lënde plasëse dyshohet të jetë vendosur në murin rrethues të banesës së deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu.
Gazetari Igli Çelmeta bën të ditur se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk ka raportime për persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, i cili ka nisur punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara pranë zonës, me qëllim që të mund të krijojnë një pistë më të qartë mbi motivet dhe personat e përfshirë në këtë akt. a.b











