Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator, thuhet në një njoftim për shtyp të SPAK.
“Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Përgjatë vizitës së tij në SHBA, Drejtuesi i SPAK, Aktin Dumani mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
“Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve”, thuhet në njoftimin për shtyp të SPAK. m.k











